Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

El-Hadi (Udhëzuesi)

Shko poshtë

El-Hadi (Udhëzuesi) Empty El-Hadi (Udhëzuesi)

Mesazh  Admin Thu Jan 28, 2010 4:16 pm

Kjo temë do të jetë rreth emrit të Zotit, El-Hadi (udhëzuesi), temë në të cilën do të përqendrohemi në pesë pika kryesore:
Hyrja.
Kuptimi i këtij emri.
Llojet e udhëzimit.
Si i udhëzon Zoti njerëzit dhe cilat janë mjetet që përdor?
Si është rruga e udhëzimit? Cilat janë të veçantat e saj?
Si hyrje, do të bëjmë disa pyetje të rëndësishme rreth të cilave do të trajtohet dhe vetë kjo temë.
Çfarë do të thotë:”Na udhëzo në rrugën e drejtë!”? (Fatiha 5) Përse është quajtur rrugë e drejtë? Çfarë do të thotë ajeti:”Po kush është Zoti yt o Musa? Ai tha:”Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i dha formën e saj dhe e udhëzoi.”? (Taha 50) Çfarë qëllimi kishte Musai a.s me këtë përgjigje? A ishte kjo një përgjigje që e bëri faraonin të mendojë?
A vetëm njeriut i përket udhëzimi, apo është diçka që ka të bëjë me të gjithë krijesat? Çfarë përgjigje i jep atij që thotë se Zoti nuk më ka udhëzuar? Nëse do të më kishte udhëzuar Zoti, unë do të falesha dhe agjëroja, por ja që nuk më ka udhëzuar.

Kuptimi i emrit El-Hadi (Udhëzuesi). Udhëzimi (në arabisht) do të thotë orientimi i dikujt drejt rrugës
së drejtë dhe të mbarë me butësi dhe urtësi. Ky është kuptimi gjuhësor. Vetë arabët, fjalën “Hadin” e përdornin për udhërrëfyesin në shkretëtirë, pasi ai i udhëzonte në rrugën që duhej të ndiqnin për të arritur në destinacion.
Gjatë emigrimit të profetit a.s dhe Ebu Bekrit, të gjithë kurejshët u ishin vënë pas dhe kishin caktuar edhe shpërblime për ata që i sjellin të gjallë apo të vdekur. Gjatë udhëtimit, profeti a.s dhe Ebu Bekri takohen me një person që e njihte Ebu Bekrin, por nuk e njihte profetin a.s. Pasi u përshëndet me Ebu Bekrin, ai e pyeti:”Kush është ky?” Ebu Bekri po t’i tregonte që është profeti, ai do të shkonte të lajmëronte kurejshët dhe do i kapnin. Në të njëjtën kohë, Ebu Bekri nuk donte të gënjente, prandaj i tha:”Ky është një udhërrëfyes (Hadin) që më tregon rrugën.” Këtu, Ebu Bekri kishte si synim që më udhëzon në rrugën e Zotit dhe jo thjesht udhërrëfyes rrugësh.
Përderisa themi “udhëzim” kjo nënkupton që ka një rrugë për tu ndjekur. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti thotë të vërtetën dhe Ai udhëzon në rrugë të drejtë” (Ahzab 4)
Kurse kuptimi fetar i emrit të Zotit El-Hadi, është: Ai që udhëzon të gjithë krijesat e Tij, në rrugën e vërtetë dhe të drejtë. Ai udhëzon gjallesat drejt rrugëve që u sigurojnë jetesën në këtë botë. Ai udhëzon peshqit, balenat, zogjtë, elefantët, milingonat në foletë e tyre, udhëzon bletën për të gjetur lulet dhe prodhuar mjaltin... Zoti udhëzon çdo gjallesë, për të kryer misionin e saj në këtë botë. Ai udhëzon gjallesat drejt sigurimit të jetesës dhe drejt gjërave që i interesojnë. Allahu është dhe Udhëzues i njerëzve, të cilët i udhëzon drejt rrugës së xhenetit.
Kjo teme përmban në vetvete tre mesazhe. Mesazhi i parë është për ata njerëz që jetojnë larg çdo lidhjeje me Zotin. Këta njerëz duhet ta dinë se Zoti që është Udhëzuesi i tyre i pret. Mesazhi i dytë është për njerëzit fetarë, të cilët mendojnë se i kanë shkëputur lidhjet me emrin e Zotit El-Hadi, që nga dita që kanë hyrë në xhami, falen, luten, agjërojnë... Thotë Zoti në Kuran:”dhe atyre që u udhëzuan, ne ua shtojmë udhëzimin” (Merjem 76) Lidhjet e tua me këtë emër, nuk përfundojnë ditën e parë që fillove të falesh.
Mesazhi i tretë është për të gjithë ata që duan dhe punojnë për llogari të El-Hadi, le t’i ftojnë të tjerët në rrugën e Tij me të butë dhe urtësi.
Udhëzimi është katër lloje:
1. Udhëzim i përgjithshëm për të gjithë gjallesat që janë mbi tokë. Zoti i Madhëruar i udhëzon
krijesat e Tij drejt burimeve të ushqimit, i udhëzon ato për të kryer siç duhet misionin e tyre. Ato udhëzohen instiktivisht nga Zoti i Madhëruar. Të gjthë krijesat, kanë pjesën e tyre në këtë udhëzim të përgjithshëm. “Është Ai i cili caktoi dhe udhëzoi” (A’la- 3)
Për ta kuptuar më mirë këtë, le ta ilustrojmë me shembuj. Shumë zogj shtegtarë, udhëtojnë nga Afrika e Jugut derisa arrijnë në Liban, duke përshkruar një distancë prej 17.000 km. Gjatë udhëtimit ata nuk devijojnë asnjë gradë. Studiuesit e shpendëve, kanë mbetur të mahnitur nga një fakt i tillë dhe nuk kanë ditur si ta shpjegojnë. Shpjegimi i vetëm i tyre ishte se zogjtë shtegtarë mund të përdorin diellin si udhërrëfyes. Por pas disa filmimeve, u pa se ato fluturonin dhe natën. Kjo i bëri të mendojnë se në trurin e tyre mund ndodhet një organ që luan rolin e radarit. Kështu vendosën që disa zogjve shtegtarë tu vendosin një aparat që lëshonte valë elektrike, me qëllim që të ndërhynin në radarin e brendshëm të tyre dhe t’u humbisnin drejtimin. Megjithatë zogjtë arritën në destinacionin e tyre. Gjuetarët e zogjve në Egjypt, presin çdo vit, në ditë të caktuara, zogjtë shtegtarë që vijnë nga Europa për në vendet e ngrohta.
”Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i dha formën e saj dhe e udhëzoi.” (Taha 50)
Pas gjithë këtyre eksperimenteve, studiuesit e jetës së shpendëve nuk kanë gjetur një shpjegim sesi këto zogj përshkojnë mijëra kilometra, pa gabuar dhe devijuar, derisa arrijnë në destinacionin e duhur. Shpesh herë mos gjetja e një shpjegimi mbi shumë dukuri, është shpjegimi më i madh për madhështinë e Atij që krijoi universin.
Nëse Zoti i Madhëruar i udhëzon këto krijesa të dobëta për në destinacionin e tyre, a mund të imagjinohet që mos të të udhëzojë ty o njeri drejt lumturisë së përjetshme në xhenet?! A e shikon sa boshe janë fjalët e atij që thotë se nuk agjëroj, nuk falem, nuk besoj... ngaqë Zoti nuk më ka udhëzuar? Zoti që ka udhëzuar zogjtë dhe kafshët drejt burimit të jetesës, si mund të të neglizhojë ty o njeri që je më superiori në këtë univers?! A nuk është vetë Zoti i Madhëruar që u tha melekëve:”Unë do të caktoj në tokë një mëkëmbës” (Bekare 30) Si ka mundësi që beson se Zoti udhëzon kafshët dhe të neglizhon ty? Ajo që ndodh në të vërtetë, është se epshet dhe dashuria për materialen të kanë bërë të mos e vësh re udhëzimin e El-Hadi. Kështu problemi qëndron tek ti dhe jo se Zoti nuk të ka udhëzuar.
Një shkencëtar që përgatiste një studim rreth iriqit tregon:”Gjatë studimit, po ndiqja një iriq që po ushqehej me një gjarpër të ngordhur në një kopësht. Teksa vëzhgoja iriqin, pashë që ai vepronte gjëra të çuditshme. Pashë që sa herë që hante një pjesë të gjarprit, shkonte tek një pemë dhe hante disa gjethe të saj. Kjo më bëri kurioz dhe shkova preva pemën dhe e largova prej atje. Iriqi pasi hëngri një copë nga gjarpri, shkoi tek pema por nuk e gjeti aty. Për disa çaste ai ngordhi.”
Kush e udhëzoi iriqin drejt gjetheve të pemës dhe kush ia tregoi se pikërisht këto gjethe neutralizojnë helmin e gjarprit në trupin e iriqit?
Një shembull tjetër është dhe peshku salmon. Peshku salmon i lëshon vezët në moçalishte pranë grykëderdhjes së lumenjve në Amerikën veriore. Gjatë vitit të parë, ajo që kujdeset për peshqit e vegjël është nëna e tyre. Me të mbushur vitin, nëna e ngordh. Pas një viti, peshqit fillojnë një udhëtim të gjatë prej 3.200 km, drejt brigjeve Francës. Ky peshk kalon lum pas lumi në drejtim të kundërt të rrjedhës, duke përshkuar të njëjtën rrugë që nëna e tij pati përshkuar më parë. Kjo, pasi burimi i ushqimit të këtij peshku është pikërisht në këto brigje të Francës. ”Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i dha formën e saj dhe e udhëzoi.” (Taha 50)
Kur përballet me vende të larta, peshku salmon kërcen tre katër metër për të vazhduar udhëtimin e tij. Kur vjen sezoni i shumimit, peshku salmon përsëri merr rrugën e kthimit për të vendosur vezët në të njëjtin vend ku lindi.
Një shembull tjetër tepër i veçantë dhe i njohur është dhe ai i bletës. Jo të gjithë bletët e një koshereje prodhojnë mjalt. Ata i kanë të ndara detyrat. Disa prej tyre kanë detyrë eksploruese për të gjetur vendet me nektar. Me të zbuluar vendin, këto bletë marrin disa kampione të nektarit dhe nisen përsëri në udhëtimin e kthimit. Ata e mbajnë mend shumë mirë distancën dhe rrugën e kthimit. Me të arritur në koshere, bleta fillon t’u japë bletëve të tjera nga nektari që ka sjellë. Jo vetëm kaq, por bleta eksploruese fillon të bëjë lëvizje të çuditshme, me të cilat u tregon bletëve rrugën për tek nektari që kishte zbuluar. Lëvizjet e krahëve të saj tregojnë mbi sasinë e nektarit që gjendet në lule, kurse dridhjet e trupit tregojnë rrugën dhe distancën që duhet të përshkojnë deri në destinacion.
Të gjithë këto shembuj që sollëm, janë me qëllim që të ndërgjegjësohesh ti o njeri. Janë me qëllim që të të thuhet se Ai që udhëzon këto kafshë për të prodhuar mjaltin me të cilin ushqehesh ti, është e pallogjikshme dhe e papranueshme që mos të të udhëzojë dhe ty drejt xhenetit dhe lumturisë së përjetshme!
Le të shohim tani udhëzimin e dytë dhe mënyrën se si na udhëzon neve.

2. Udhëzimi i dytë është udhëzimi drejt besimit. Ashtu siç ka bërë që kafshët të udhëzohen
drejt interesave dhe burimeve të jetesës, ashtu Zoti e ka vendosur besimin në natyrën e njeriut. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:“Përkujto kur Zoti Yt nxorri nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë):A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Po, dëshmuam!” Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nuk dinim gjë rreth kësaj” (Araf 172)
Ashtu siç ishte peshku salmon, bleta, iriqi... të udhëzuar nga Zoti për të gjetur ushqimin dhe destinacionin e përshtatshëm, ashtu Zoti të ka udhëzuar dhe ty o njeri drejt njohjes së Tij. Njohjen e Zotit dhe besimin në Të, Ai e ka vendosur në natyrën tënde. Thotë profeti a.s:”Kur Zoti e krijoi Ademin, ai e preku tek shpina e tij, prej ku dolën mostrat e të gjithë njerëzve deri ditën e kijametit.” Të gjithë shpirtrat tanë u paraqitën para Zotit, që ditën që u krijua Ademi a.s dhe pa u krijuar asnjë tjetër. Të gjithë ne dëshmuam mbi njohjen dhe besimin në Zot. Pikërisht për këtë, profeti Muhamed a.s thotë:”Çdo njeri që lind, lind me natyrë besimi të pastër. Janë prindërit ata që e edukojnë si hebre apo të krishter.”
Sa herë që gjatë jetës të merr malli për Zotin dhe dëshiron ta adhurosh, të ndodh për shkak të këtyre çasteve ku ke dëshmuar para Zotit mbi madhështinë dhe ekzistencën e Tij. Këto çaste janë të mbjella brenda vetes dhe qënies tënde. Ti mund të thuash se unë nuk e mbaj mend një moment të tillë, pasi je mësuar të dëgjosh dhe të shikosh vetëm me veshë dhe sy. Por çaste dhe një përjetim i tillë, ishte me shpirt dhe jo fizik.
Çdo moment që ndjen mall për Zotin, çdo pikë loti që rrjedh nga dashuria për Të, çdo fjalë “subhanalla” apo “elh”, sa herë që thua me gojë dhe zemër “La ilahe ilallah”, sa herë dëshmon se nuk ka zot tjetër veç Allahut Fuqiplotë...dëshmon mbi këto çaste dhe dëshmon se besimi në Zotin e Madhëruar është diçka e ngulitur në qenien e secilit prej nesh.
Këtë dëshmi dhe premtim që Zoti ta morri ditën që u krijove si shpirt, vazhdon të pasqyrohet deri sa të vdesësh. Ashtu siç u shkri shpirti në trup, ashtu siç përhapet uji që pihet në të gjithë pjesët e trupit, ashtu është përhapur dhe shkrirë me trupin dhe shpirtin tënd besimi në Zot.
Thotë profeti a.s:”Ditën e Kijametit, do të sillet një njeri nga banorët e zjarrit, dhe do i thuhet:”Nëse do të kishe të mira sa të mirat e tokës, a do i jepje për të shpëtuar sot?” “Po” përgjigjet ai. Zoti i Madhëruar do i thotë:”Unë të kërkova diçka më të vogël se kaq, Ditën që të nxorra bashkë me pasardhësit e Ademit. Të kërkova të mos adhurosh kënd tjetër veç Meje, por ti nuk u binde.”
Udhëzimi për të besuar në një Zot, është prezent në veten tënde që ditën që lind. Bashkë me këtë udhëzim dhe këtë besim, njeriu lind dhe me një ndjenjë tjejtër; atë të dallimit të keqes nga e mira.
“Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi! Dhe ia frymëzoi dallimin mes të mirës dhe të keqes.” (Shems 7-Cool
Në çastin që të veprosh diçka të keqe, ndihesh ngushtë dhe të vjen turp. Kjo për shkak se Zoti të ka pajisur me këtë ndjenjë që ditën që të krijoi dhe të solli në këtë jetë.
“por njeriu është i ditur për veten e tij” (Kijame 14) Njeriu është shumë i ndjeshëm dhe e dallon menjëherë kur vepron diçka të keqe. Është njëlloj me një makinë të viteve të fundit, e cila për çdo defekt që mund t’i ndodhe, ndez një llampë të caktuar. Me të vepruar diçka të keqe, ndjen që të skuqet fytyra, djersin, zemra të rreh më shpejt... E kundërta, sa herë që vepron një vepër të mirë, qetësohesh, të çelet fytyra, buzëqesh dhe të gjithë njerëzit të pyesin përse je i gëzuar.
Dikush mund të pyesë: Përse unë nuk e ndjej diçka të tillë? Mua nuk më vjen turp kur veproj diçka të keqe dhe as nuk ndihem krenar kur veproj diçka të mirë.
Kjo i ngjan një rruge në shkretëtirë, të cilë ne kanë braktisur njerëzit dhe nuk kalojnë mbi të. Pas pak kohësh, rrugën e mbulojnë pluhuri dhe rëra, duke fshirë çdo shenjë të saj. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me njerëz të tillë. Gjynahet e shumta e kanë mbuluar besimin në Zot.
Shohim shpesh herë që dijetarët tanë të nderuar nuk flasin shumë rreth ajetit:” :“Përkujto kur Zoti Yt nxorri nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë):A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Po, dëshmuam!” Kjo pasi frikësohen se mos njerëzit nuk e keqkuptojnë ose nuk e përceptojnë dot. Por duke studiuar shembujt e krijesave që lartpërmendëm, të flasësh rreth këtij ajeti dhe ta kuptosh atë siç duhet është më e lehtë.

3. Udhëzimi për më shumë besim në Zotin. “dhe Zoti ua shton udhëzimin atyre që u
udhëzuan” (Merjem 76) “ata janë të rinj që besuan në Zot dhe Ne ua shtuam udhëzimin” (Kehf 13) “dhe ata që u udhëzuan, ua shtoi udhëzimin dhe ua dha devotshmërinë e tyre” (Muhamed 17)
4. Udhëzimi i katërt dhe i fundit, është udhëzimi për në xhenet. Teksa banorët e xhenetit do të
jenë duke hyrë në xhenet, do të thonë:”Falenderojmë Zotin që na udhëzoi drejt kësaj. Ne nuk do të mund të udhëzoheshim drejt kësaj, nëse nuk do na kishte udhëzuar Zoti.” (Araf 43)

Si i udhëzon Zoti njerëzit dhe cilat janë mjetet që përdor?
Një nga mënyrat që përdor Zoti për udhëzimin e njeriut në rrugën e Tij, është pikërisht natyra besimtare të cilën e ka mbjellë në zemrën e secilit prej nesh. Është pikërisht ajo natyrë rreth të cilës folëm më sipër.
Një mjet tjetër me të cilën të udhëzon është dhe universi i cili në vetvete është një xhami dhe panair i cili të rrëfen mbi madhështinë dhe aftësitë e Atij që e krijoi. Shumë njerëz e mendojnë adhurimin e Zotit vetëm duke vajtur në xhami, por adhurim është dhe duke medituar dhe studiuar xhaminë e madhe, universin. Nëse xhamia ka kohë që mbyllet dhe nuk është e disponueshme për frekuentuesit e saj, xhamia e madhe në univers, nuk mbyllet kurrë. Ajo qëndron e hapur për të gjithë ata që duan të udhëzohen dhe të besojnë në Zotin që e krijoi.
Të gjithë krijesat në univers, janë të udhëzuara, përse të mos jesh i udhëzuar dhe ti o njeri? Thotë Zoti në Kuran:”Nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë duke e falenderuar” (Isra 44)
“Zotin e madhëroi gjithçka në qiej dhe në tokë.” (Hadid 1)
Kushdo që studion dhe mediton rreth universit, patjetër që do të arrijë në besimin tek Zoti. Thotë Zoti në Kuran:”Thuaj shikoni ç’ka në qiej dhe në tokë, faktet nuk bëjnë dobi për një popull jobesimtar”(Junus 101)
Një mjet tjetër me të cilin Zoti udhëzon njerëzit është dhe libri i tij Kurani famëlartë. Thotë Zoti në Kuran:”Me të vërtetë që ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mirë” (Isra 9) Kur xhindët dëgjuan të lexohej Kuran, thanë:”Ne kemi dëgjuar të lexohej një libër që u shpall pas Musait dhe udhëzon drejt të vërtetës dhe rrugës së drejtë” (Ahkaf 30)
Imagjino dikë që shkon të inspektojë një universitet dhe e gjen atë të mbushur me profesorë të kualifikuar, nxënës të zellshëm, disiplinë e lartë, pastërti, rregull dhe disiplinë... Patjetër që llogjika e tij e çon që ky universitet është nga më të mirët për tu arsimuar. Megjithatë, vetëm me kaq sa pa, ai nuk mund të kuptojë shumë hollësi të tjera dhe se kush është drejtori i këtij universiteti. Për këtë, atij duhet t’i ofrohet një broshurë e vogël me anë të të cilit njihet me metodat e universitetit, ligjet dhe rregulloret e tij, emrin e drejtorit...
E njëjta gjë është dhe me njerëzit dhe universin. Zoti na ka pajisur me mendje që duke studiuar universin dhe krijesat, të arrijmë në njohjen dhe në besimin në Zot. Por vetëm kaq nuk mjafton që të njohim ligjet dhe rregullat që ka caktuar Zoti. Për këtë duhet një broshurë, që të na udhëzojë drejt më së mirës. Atëherë vijnë librat e shenjtë të cilët Zoti ua shpalli profetëve të Tij.
Zoti ka dhe një mënyrë tjetër udhëzimi, me anë të thirrësve dhe fedashësve. Zoti e ka bërë obligim për të gjithë që të ftojmë në rrugën dhe udhëzimin e Tij. Shumë prej nesh, kemi dikë që ka qenë shkak për udhëzimin tonë. S’ka gjë më bukur dhe të vlefshme sesa të të zgjedhë Zoti për t’u treguar njerëzve rrugën e drejtë dhe të mbarë. A ka gjë më të bukur sesa të dalësh para Zotit Ditën e Kijametit dhe t’i thuash:”O Zot, unë kam bërë shumë gjynahe, por gjatë gjithë jetës kam punuar që njerëzit të të besojnë dhe të udhëzohen në rrugën Tënde.” Thotë Zoti në Kuran:”Kush është më fjalë mirë sesa ai që fton në rrugë të Zotit?” (Fussilet 33)
Thotë Ibnul Kajjim Elxheuzij:”Grada më e lartë e adhurimit të Zotit, është të ftosh dhe të udhëzosh të tjerët në rrugën e Zotit. Kjo pasi diçka e tillë është rruga e profetëve të cilët janë të dashurit e Zotit. Këtë gradë e kanë fituar ngaqë ftojnë të tjerët në rrugën e Zotit.”
Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme për ata njerëz që thonë se Zoti nuk na ka udhëzuar. Çfarë duan më shumë se kaq? A nuk të ka pajisur me një natyre besimtare që para se të lindësh? A nuk ka dërguar profetë dhe njerëz të mirë që të të tregojnë të mirën nga e keqja?
Thotë profeti a.s:”Të udhëzosh një njeri në rrugë të Zotit, është më e mirë se kjo botë me të mirat e saj.”
Gjithçka që ndodhet në këtë botë, ndërtesa, makina, vila, rrugë, veshje, ushqime.... nuk është më e mirë sesa të bëhesh shkak që dikush të udhëzohet në rrugën e Zotit.
Në një hadith tjetër, profeti a.s thotë:”Ai që nxit për një të mirë, shpërblehet si vepruesi i saj.”
Një mënyrë me të cilën Zoti i udhëzon njerëzit në rrugën e Tij të drejtë, janë situata dhe ndodhi të ndryshme që u ndodhin. Po të dëgjosh historitë e secilit prej nesh që falemi, do të shohësh që gjithçka është udhëzim dhe mirësi prej Zotit. Sikur Zoti na ka udhëzuar me dorën e Tij.
Zoti të udhëzon ty o vëlla, por është e rëndësishme që të duash dhe të fillosh të pastrohesh nga gjynahet. Mos i lër gjynahet ta nxijnë jetën tënde. “por jo. Zemrat e tyre ishin nxirë me ato që vepruan” (Mutaffifin 14)
Shumë muslimanë e kishin të vështirë të besonin se Umer ibnul Hattabi mund të bëhej musliman, saqë një musliman pati thënë:”Për Zotin bëhet musliman gomari i fisit të tij dhe Umeri jo.”
Tregon vetë Umer ibnul Hattabi, pasi pranoi Islamin:”Kam pasur urrejtje të madhe për muslimanët dhe e torturoja shpesh herë skllaven time, pasi ishte muslimane. Unë e torturoja, por ajo vazhdonte e vendosur në besimin e saj. E lija të qetë, vetëm pasi lodhesha. Kur më shihte të lodhur, ajo më thoshte:”A nuk e shikon si të lodhi Zoti dhe më dha mua fuqi?!” Kjo bëri që të ndjej diçka në zemër.
Tregon përsëri Umeri:”Pata dëgjuar se profeti a.s lutet për mua me fjalët:”O Zot, përkrahe islamin me islamizimin e njërit nga dy Umerët (Umer ibnu Hisham dhe Umer ibnul Hattab). Edhe kjo bëri që të ndjej diçka në
zemër.
Një natë kërkova dikë që të pijmë alkol deri në mëngjes, por nuk gjeta asnjërin. Shkova në pijetore, por e gjeta të mbyllur. Nuk dija ku të shkoja dhe papritur dëgjova një zë të brendshëm që më thoshte:”Shko tek Qabeja dhe bëj tavaf!” Kur shkova tek Qabeja, gjeta profetin a.s duke u falur i vetëm. Shkova dhe qëndrova pas tij, pa më ndjerë, duke dashur të dëgjoj se çfarë thotë. Teksa ai lexonte pjesë nga Kurani, me vete thashë:”Ky duhet të jetë fallxhor.” Në atë çast dëgjova që profeti (a.s) po lexonte:”As fjalë të një fallxhori, të pakët jeni që kujtoheni” (El-hakka 42). Unë u çudita dhe u trondita nga kjo përgjigje, pasi profeti a.s nuk po më vështronte dhe nuk e dinte se unë po e ndjek. Me vete thashë:”Është poet atëherë.” Por profeti a.s lexoi ajetin tjetër:”As fjalë të një poeti nuk janë.” Atëherë pyeta veten:”Çfarë është atëherë?” dhe në çast e dëgjova të lexojë:”Është shpallje nga Zoti i botërave” (El-hakka 43). Kur dëgjova dhe këtë mu dridh trupi dhe filloi të më bëjë përshtypje më shumë Islami.
Abdullah ibn Mesudi kaloi një ditë pranë disa burrave të cilët po pinin alkol dhe njëri prej tyre u këndonte këngë. Ibnu Mesudi iu afrua njërit dhe i tha:”Sa zë i bukur nëse do të përdorej për leximin e Kuranit?!” Pasi Ibnu Mesudi u largua, ky burrë shkoi dhe i tha atij që këndonte:”A e dëgjove çfarë tha Ibnu Mesudi për ty?” “çfarë tha?” e pyeti ai. “Sa zë i bukur nëse do të përdorej për leximin e Kuranit?!” I prekur nga kjo fjalë tha:”Për Zotin kjo është një shenjë nga Zoti.” Menjëherë ai la kuvendin e tyre dhe iu vu pas Ibnu Mesudit. Me ta takuar, i tha:”A më lejon të vij pas teje dhe të më mësosh Kuranin?” “Po” ia ktheu Ibnu Mesudi. Ai e mësoi Kuranin dhe ua mësonte dhe të tjerëve më pas.
Në kohën e profetit a.s, vjen një njeri nga Jemeni për të kryer haxhin në Meke. Me të arritur, kurejshët i tregojnë se është një burrë që është pushtuar nga xhindët (për profetin a.s) dhe i thanë se nuk duhej t’i afrohej. Por ky burrë, ishte nga ata që merreshin me nxjerrjen e xhindëve dhe shpirtrave të këqinj nga njerëzit. Kështu ai vajti menjëherë tek profeti a.s dhe i tha:”çfarë të shqetëson o vëlla, se unë merrem me nxjerrjen e xhindëve?” Profeti a.s e kuptoi si qëndronte puna dhe i tha:”Më dëgjo se çfarë do të them!” dhe filloi të lexojë:”Me të vërtetë që falenderimi i takon Zotit. Atë e falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. I kërkojmë Zotit të na mbrojë nga e keqja e vetes tonë dhe e keqja e punëve tona. Atë që e udhëzon Zoti, nuk ka kush ta largojë nga rruga e drejtë dhe atë që çon drejt humbjes, askush tjetër veçTij nuk mundet ta udhëzojë.”
Burri nga Jemeni i kërkoi profetit a.s që t’ia përsërisë dhe dy herë të tjera këto fjalë. Në fund i tha:”çfarë është kjo fe?” Profeti a.s i tha:”Është feja islame.” Burri nga Jemeni e pyeti përsëri:”Po për çfarë urdhëron?” Profeti a.s i tha:”Të adhurosh Zotin dhe të shkosh mirë me farefisin.” “çfarë duhet të bëj që të bëhem pjestar i kësaj feje?” Profeti a.s i tha:”Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër veçnjë Zoti dhe se unë jam i dërguari i Zotit.” Burri i tha:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veçnjë Zoti dhe se ti je i dërguari i Tij.”
Umejr ibnu Vehb, i urrente muslimanët shumë. Umer ibnul Hattabi thoshte rreth tij:”Më shumë dua një derr sesa dua Umejr ibnu Vehbin.” Pas betejës së Uhudit, Umejr ibn Vehbin ishte ulur me Safvan ibnu Muattil, të cilit i tha:”Nëse nuk do të kisha borxhe dhe fëmijët e vegjël, do të kisha marrë shpatën, do e kisha lyer me helm dhe do shkoja të vras Muhamedin.” Safvani i tha:”Nëse e bën diçka të tillë, fëmijët e tu janë fëmijët e mi dhe borxhet t’i shlyej unë. Vetëm bëje atë që thua.” Menjëherë Umejri merr shpatën e lyen me helm dhe niset për në Medine. Me të arritur atje, e shikon Umer ibnul Hattabi i cili u thotë të pranishmëve:”Ky nuk ka ardhur veçse për sherr.” dhe e kapi për rrobave të tij. Profeti a.s i tha Umerit a.s ta lërë dhe iu drejtua Umejrit:”Afrohu o Umejr! Çfarë të ka sjellë këtu?” Ai i tha:”Kam ardhur për vëllanë tim që gjendet rob tek ju që nga beteja e Bedrit.” Profeti a.s buzëqeshi dhe i tha:”A për këtë ke ardhur deri këtu o Umejr?!” “Po” u përgjigj. Profeti a.s i tha përsëri:”O Umejr, më trego të vërtetën! A për këtë shkak ke ardhur?” “Po” iu përgjigj ai përsëri. Atëherë profeti a.s i thotë:”Jo o Umejr. Por ti i the Safvan ibnu Muattil që sikur të mos kishe fëmijët e vegjël dhe borxhet pa shlyer, do të merrje shpatën do e lyeje me helm dhe do shkoje të vrisje Muhamedin. Safvani të tha se fëmijët e tu janë si fëmijët e tij dhe se borxhet i merr ai përsipër për t’i shlyer.” Umejri u befasua nga këto fjalë të cilat nuk i dinte tjetër kush veç tij dhe Safvanit dhe tha:”Dëshmoj se ti je i dërguari i Zotit.” Tashmë, Umer ibnul Hattabi thoshte për Umejrin:”Para se të pranonte Islamin, doja më shumë një derr sasa Umejrin, kurse tani ai është më i dashur tek unë se disa nga fëmijët e mi.”
Sa herë që në Kuran përmendet rruga e Zotit, ajo shoqërohet me mbiemrin “e drejtë”. Kjo pasi rruga e Zotit është e drejtë dhe e mbarë, pa shtrembërime dhe nuk është e lodhshme. Ajo është rrugë që shkon në harmoni me të gjithë universin. Nëse ti o vëlla do të ndjekësh drejtimin e krijesave dhe universit, nuk do të lodhesh, por nëse do të lëvizësh në drejtim të kundërt me lëvizjen e universit, padyshim që do të lodhesh dhe do të jetosh në strese.
Një herë profeti a.s teksa qëndronte mes shokëve të tij, morri një shkop dhe bëri një vijë të drejtë në rërë. Më pas, bëri dhe disa vija përkrah vijës së drejtë dhe u tha:”Kjo, është rruga e drejtë e Zotit, kurse këto janë rrugë që të çojnë në humbje. Në fillimin e çdo rruge, ndodhet një shejtan që fton në rrugën e tij.”
E gjithë sureja Fatiha, sillet rreth rrugës së drejtë të Zotit.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Sunduesit të Ditës së Gjykimit! Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë! Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre me të cilët u zemërove dhe as në të atyre që e humbën veten!” (Fatiha 1-7)
Sa herë të lexosh ajetin:”Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira”
Kujto profetin Muhamed a.s, kujto Ademin, Ibrahimin a.s… dhe profetët e tjerë. Kujto shokët e profetit a.s dhe të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan për këtë fe dhe lute Zotin që të të bëjë prej tyre.
Në një hadith, profeti Muhamed a.s përshkruan rrugën e drejtë. Ai thotë që kjo rrugë është e drejtë dhe në dy anët e saj, rrethohet nga dy mure. Këto dy mure, kanë dyer të hapura, por me perde të lëshuara. Në fund të rrugës, ndodhet një thirrës që thërret:”O ju njerëz! Kjo është rruga e duhur, prandaj ndiqeni!” Gjatë rrugës, ndodhet një thirrës tjetër që sa herë njeriu tenton të hyjë brenda dyerve të mureve, i thotë:”Mos i hap, pasi po i hape do të biesh brenda!” Më pas, profeti a.s i komenton këto dhe thotë se kjo rrugë është rruga e Zotit e drejtë, Islami. Ftuesi në fund të rrugës është libri i Zotit Kurani. Ftuesi gjatë rrugës është ndërgjegja dhe natyra e pastër me të cilën të ka pajisur Zoti që kur të krijoi. Dyert në muret rrethuese janë haramet që ka ndaluar Zoti. Këto dyer janë mbuluar me perde të bukura që të mashtrojnë njerëzit.”
Nga këto dyer, është dera e imoralitetit dhe punëve të poshtra. Por kjo derë është e mbuluar me një perde të bukur dhe me ngjyra, mbi të cilën lexon:”Arti i dashurisë, bashkëjetesa, liria e veprimit...” Nëse shkon dhe heq perden, ke hyrë brenda dhe ke rëshqitur në këto punë të liga.
Një nga këto dyer është ajo e fitimit të pasurisë në rrugë haram. Por kjo derë është e mbuluar me një perde të bukur, në të cilën shkruan:”Shkathtësi dhe zgjuarsi.” Kurrë mos tento ta hapësh perden, pasi bie dhe nuk din si të dalësh.
Një nga këto dyer, është dhe një derë e mbuluar me perde të zezë. Kjo derë të çon drejt konsumimit të alkolit dhe drogave të ndryshme. Por mbi këtë perde lexon:”Bëhu burrë dhe provoje!”
Një nga këto dyer, është dera e lakuriqësisë dhe zbulimit të pjesëve të turpshme. Por kjo derë është e mbuluar me një perde të bukur, mbi të cilën lexon:”Moda.”
E veçantë ështe se Zoti i Madhëruar ka zgjedhur të njëjtën fjalë për të përshkruar rrugën e Tij të drejtë në këtë botë dhe urën sipër të cilës do të kalojnë njerëzit ditën e Kijametit. Kjo fjalë është fjala “Sirat”.
Me këtë, sikur na thotë se ajo është e njëjta rrugë, e cila zgjatet nga kjo botë deri tek pragu i dyerve të xhenetit. Vazhdimin e rrugës së drejtë në këtë botë, do e plotësojmë me kalimin e Siratit në botën tjetër.
Me të njëjtat ekuilibra që do të kalosh rrugën e kësaj bote, do të kalosh dhe Siratin në botë tjetër.
Tregon profeti a.s rreth njerëzve që do të kalojnë Siratin: “.. do të ketë njerëz që e kalojnë Siratin sa hap e mbyll sytë. Të tjerë do e kalojnë si rrufeja. Të tjerë si era, të tjerë do të ecin këmbadorazi dhe disa të tjerë barkazi. Do të ketë nga ato që do të kapen pas Siratit, por melekët do ti tërheqin drejt tij. Do të ketë të tjerë që do të bien brenda tij…”
Ata që do të bien nga Sirati i botës tjetër, janë ata që nuk duruan pa hapur dyert dhe perdet e rrugës së kësaj bote. Je ti ai që zgjedh se si do e kalosh Siratin o vëlla dhe o motër. Ashtu si të kalosh rrugën e Zotit në këtë botë, ashtu do të kalosh dhe Siratin në botën tjetër. Lute Zotit të të forcojë që të jetosh në rrugën e drejtë të Zotit në këtë botë, me qëllim që ta kesh të lehtë të kalosh dhe Siratin në botën tjetër.
Admin
Admin
Admin

Numri i postimeve : 187
Join date : 16/12/2009
Age : 35
Location : Prizren

http://forum-nektariidituris.tk

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi