Gruaja e devotshme
Faqja 1 e 1
Gruaja e devotshme
Gruaja e devotshme
Cilësia e parë e gruas së devotshme është se ajo duhet të jetë fetare, që i kryen obligimet fetare pa përtaci dhe nuk mund të ketë mosmarveshje mes saj dhe burrit të saj në kryerjen e urdhrave të Allahut dhe të Pejgamberit s.a.v.s.
Ajo i kryen urdhrat e Allahut dhe të Pejgamberit s.a.v.s. dhe gjithashtu është shumë larg harameve të cilat i ka ndaluar Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi s.a.v.s.
Gruaja fetare: Kjo është zgjedhja më e mirë të cilën e obligon ligji i Allahut dhe gjithashtu e miraton edhe logjika e shëndoshë, shpirti i një besimtari dhe nga ajo anon natyrshmëria e njeriut.
Me të vërtetë, Islami i ka nxitur meshkujt që të zgjedhin gratë fetare, që të ketë dobi ai, shtëpia dhe fëmijët e tij.
Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Gruaja martohet për katër gjëra: për shkak të pasurisë së saj, origjinës së saj, për shkak të bukurisë dhe për shkak të fesë (që është fetare), mere atë e cila është fetare, asnjëherë nuk do të pendohesh.” (Mutefekun alejh)
Gruaja e devotshme është ajo grua me të cilën duhet të martohet mashkulli për shumë shkaqe, prej tyre:
1. Gjëja më e vlefshme në këtë botë është gruaja e devotshme.
Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “E gjithë kjo botë është një mall dhe malli më i mirë i kësaj bote është gruaja e devotshme.” (Muslimi)
2. E ndihmon burrin e saj në gjysmën e fesë.
Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Atij të cilit i dhuron Allahu grua të devotshme, i ka ndihmuar atij në gjysmën e fesë së tij, kurse ai le t’i frikësohet Allahut në gjysmën tjetër.” (Hakimi dhe e ka bërë sahih, kurse shejh Albani ka thënë se hadithi është i dobët, El Xhami nr.5610)
Transmeton Enesi r.a., se Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Ai i cili martohet e ka plotësuar gjysmën e imanit (besimit) dhe le t’i frikësohet Allahut në gjysmën e mbetur.” (Taberaniu, shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen, Sahih el Xhami nr.6024)
3. Gruaja e devotshme është pasuria më e vlefshme në këtë botë
Thubani r.a ka thënë: “Pasi ka zbritur ajeti ku Allahu xh.sh thotë: “Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhembshëm.” (Et-Teube, 34), kemi qenë me Pejgamberin s.a.v.s në një udhëtim dhe disa prej shokëve të tij thanë: "Ky ajet ka zbritur për ar dhe argjend, sikur të kishim ditur cila është pasuria më e mirë do ta kishim marrë.” Pejgamberi s.a.v.s tha: “(pasuria) Më e mirë është gjuha e cila e kujton Allahun, zemra e cila e falënderon Allahun dhe gruaja besimtare e cila e ndihmon atë (burrin) në besimin e tij.” (Ahmedi, Termidhiu dhe e ka bërë hasen Ibn Maxhe.)
4. E ndihmon atë t’i kryejë urdhrat e Allahut dhe çështjet e ahiretit.
Pejgamberi s.a.v.s thotë: “Allahu e mëshiroftë një burrë i cili ngrihet natën për t’u falur dhe e ngre edhe gruan e tij për t’u falur, e në qoftë se nuk zgjohet, ia lag fytyrën e saj me dorë. Dhe Allahu e mëshiroftë një grua e cila ngrihet natën për t’u falur dhe e ngre edhe burrin e saj për t’u falur, e në qoftë se nuk zgjohet, ia lag fytyrën e tij me dorë.” (Hadithi është sahih, Sahih el Xhami nr.3494)
A ka mirësi më të madhe sesa kjo grua besimtare e devotshme e cila është e kujdesshme ndaj kryerjes së nafileve (ibadete vullnetare), duke e ndihmuar edhe burrin e saj për t’u falur, kur është e kujdesshme për nafile, mos të flasim për farze.
Gruaja e devotshme
2
Cilësi e gruas së devotshme është edhe morali i lartë, qetësia, thënia e fjalëve të mira, sjellja e mirë, mospasja inat apo dëshirë për t’u hakmarrë ndaj burrit të saj apo edhe ndaj të tjerëve.
Nuk ka dyshim se këto cilësi e ndriçojnë një grua të devotshme, janë cilësi të dukshme në vepër. Kush martohet me një grua të tillë, të moralshme, me të vërtetë ka fituar dhe ka shpëtuar.
Islami i ka nxitur njerëzit që të kenë moral të lartë dhe sjellje të mirë me të tjerët. Transmeton Usame ibn Zejdi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Robi më i dashur tek Allahu është ai i cili ka moral të mirë.” Taberaniu. Shejh Albani ka thënë se hadithi është Sahih, shih. Silsile Es-Sahiha nr. 433.
Transmeton Ebu Darda, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka asnjë gjë që vendoset në peshore (në Ditën e Gjykimit) që peshon më shumë sesa morali i mirë dhe ai i cili ka moral të mirë, do të arrijë shkallën e agjëruesve dhe të atyre që falin namaz.” Tirmidhiu, Ebu Davudi, Bezari me zinxhir të mirë. Shih Et-Tergib Uet-Terhib 3/256.
Kurse Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se një njeri i ka thënë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “Më mëso ndonjë vepër që do të më futë në xhenet.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ushqe njerëzit, përhape selamin, flit fjalë të mira (sillu mirë) dhe falu natën, kur njerëzit flenë.” Bejhakiu dhe Ibn Hibani.
Transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë në xhenet ka dhoma, prej jashtë sheh çfarë ka brenda dhe prej brenda sheh se çfarë ka jashtë.” Ebu Malik El Eshari e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, të kujt janë këto?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “Të atij i cili flet mirë (ka sjellje të mirë), i ushqen njerëzit (që kanë nevojë) dhe i kalon nata në namaz, kur njerëzit janë duke fjetur.” Ahmedi, Hakimi dhe ka thënë se hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.
Ka mundësi që disa gra të thonë: “Çfarë dëshiron burri prej meje? Ushqimin e gjen të gatshëm, rrobat i gjen të hekurosura, shtëpinë e rregulluar dhe të fshirë, fëmijët e tij të veshur dhe të ushqyer dhe të gjitha nevojat e tij i ka të gatshme. Çdo gjë që ai kërkon, unë e kryej, çfarë dëshiron burri më shumë prej meje?”
Assesi oj motër, nuk kërkon diçka më tepër. Mirëpo ai ka nevojë për një sjellje të mirë, të cilën ti ke mundësi ta bësh, ai ka nevojë për buzëqeshjet e tua, ai ka nevojë të shikojë një grua e cila kujdeset për të dhe i kushton vëmendje atij.
Ai dëshiron të dëgjojë fjalë të mira, tërheqëse, falënderime dhe dashuri ndërmjet jush. Dhe e gjithë kjo është çelësi i një jete të mirë dhe të lumtur, të cilën e kërkon martesa.
Sillu mirë me të, nëse sjell diçka në shtëpi, gjëra ushqimore ose të ka blerë ndonjë rrobë, falënderoje atë me buzëqeshje, thuaj fjalë të mira edhe nëse ka mundësi që nuk të ka pëlqyer aq shumë, sepse kjo ia shton dashurinë atij dhe e gëzon atë. Kur vjen nga puna ose nga xhamia, prite me fjalë të mira e tërheqëse, se e gjithë kjo sjell harmoni martesore, kurse ty nuk të kushton asgjë.
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
3
Cilësia e tretë
Cilësia e tretë e gruas muslimane është njohja e vlerës së burrit të saj dhe e pozitës së tij, të cilën ia ka dhënë Islami. Me këtë ajo i kryen obligimet e saj ndaj tij në mënyrën me të përsosur, duke qenë e bindur se nënshtrimi ndaj burrit është adhurim për të cilin gruaja shpërblehet tek Allahu.
Ndër shkaqet kryesore të lumturisë bashkëshortore është edhe njohja e pozitës së burrit dhe e vlerës së tij në Islam. Kur e di vlerën dhe pozitën e tij në Islam, atëherë edhe sjelljet e saj do të jenë më të mira.
Husajn ibn Muhsin ka thënë: “Halla ime më ka thënë: “Kam shkuar te
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe më ka thënë: “Si po sillesh me burrin tënd?” I thashë: “E dëgjoj dhe i respektoj kërkesat e tij, përveç nëse nuk kam mundësi ta bëj ndonjë gjë.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Shikoje veten tënde se si po sillesh me të, sepse ai është xheneti yt dhe xhehenemi yt (me të mund të fitosh xhenetin, nëse e dëgjon, dhe mund të fitosh xhehenemin, nëse e kundërshton).” Ahmedi dhe Nesaiu. Shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih Adabuz-Zifaf f. 285.
Kurse Nesaiu transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë tuaja, të cilat janë prej banoreve të xhenetit, janë ato që i doni dhe që lindin dhe të cilat, kur hidhërohet burri, vijnë dhe ua kapin dorën burrave të tyre dhe u thonë: “Nuk do të fle derisa të kënaqesh (pajtohesh).” Albani ka thënë: “Hadithi ka transmetime të tjera, të cilat e vërtetojnë këtë hadith. Shih Silsile Es-Sahiha të Albanit 287.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk i lejohet askujt t’i bëjë sexhde dikujt (tjetër përveç Allahut). Sikur t’i obligohej ndokujt t’i bënte sexhde dikujt, do t’i kisha urdhëruar gratë t’i bëjnë sexhde burrave të tyre për shkak se Allahu e ka lartësuar pozitën e burrit.” Ibn Hibani. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Irvaul Galil nr. 1998.
Kurse në një transmetim tjetër, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muhamedit, gruaja nuk i ka kryer obligimet ndaj Zotit të saj derisa t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj burrit të saj, saqë edhe nëse është duke i lidhur kërpeshet e deveve dhe kërkon burri i saj të bëjë marrëdhënie, nuk e refuzon.” Ahmedi, Ibn Maxhe. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Sahih El Xhami 6915.
Kurse Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O ju gra! Sikur ta dinit se çfarë haku ka burri tek ju, do t’ia kishit fshirë pluhurin e këmbëve të tyre me fytyrat tuaja.”
Nëse një grua i kupton këto hadithe dhe punon me to, ajo nuk do ta respektojë burrin vetëm se duhet respektuar apo nëse ai i kryen obligimet ndaj saj, edhe kjo do t’i kryej obligimet ndaj tij, mirëpo ajo i kryen obligimet ndaj burrit për shkak se këtë e konsideron afrim tek Allahu xh.sh. Edhe nëse burri i saj nuk i kryen të gjitha obligimet ndaj gruas së tij, ajo shpreson shpërblimin nga Allahu xh.sh.
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
4
Cilësia e katërt e gruas muslimane është kujdesi i madh për të arritur kënaqësinë e burrit. Ndjenjat e saj janë të forta, është gjithmonë me fytyrë të hapur dhe të buzëqeshur, gjë që e bën jetën bashkëshortore edhe më të lumtur dhe sjell hare në shtëpi.
Gruaja e devotshme gjithmonë mundohet me gjithë forcat e saj që të punojë punë që e kënaqin burrin e saj dhe i bën të gjitha shkaqet me të cilat arrin kënaqësinë e burrit, kurse gjëja më e lartë është kur ajo ka ndjeshmëri se si ta kënaqë burrin e saj. Me ndjeshmëri kam për qëllim që ajo gjithmonë është në kërkim dhe mendon se si ta kënaqë burrin e saj dhe si ta bëjë të lumtur atë, duke bërë çdo gjë (që nuk është haram) për ta arritur kënaqësinë e tij. Dhe ky është xhihadi më i madh për një grua.
Gruaja muslimane ka ndjenja të forta, e ndien kur burri i saj është i lumtur e kur është i hidhëruar apo i pikëlluar. Kur ai është i lumtur, nuk ia prish lumturinë e tij. Kur ai është i pikëlluar, nuk gëzohet para tij dhe nuk qesh para tij duke e shfaqur gëzimin e saj. Kur ai është i pikëlluar apo i hidhëruar, nuk e ngre zërin para tij duke biseduar me dikë, sikur asaj të mos i interesojë çështja e tij, mirëpo mundohet t’ia largojë brengat dhe hidhërimet në çdo mënyrë të mundshme. Ajo di si të sillet me burrin e saj, di se çfarë fjalësh t’i thotë atij, që t’ia largojë brengat.
Ajo është gjithmonë fytyrëçelur, e buzëqeshur, e di se sa lumturi i sjell burrit të saj kur i rri me fytyrë të buzëqeshur. Kur ai kthehet nga puna, e pret me fjalë të mira e të ëmbla, buzëqeshje tërheqëse, rroba të bukura, me parfum të mirë. Sa e sa probleme ndodhin në shtëpi për shkak të mikpritjes së keqe të gruas!
Një shembull i mrekullueshëm… Su’da vështron problemet e burrit të saj
Është futur Su’da te dhoma e burrit të saj, Talha ibn Abidullahut dhe e ka parë të mërzitur. Ajo nuk e dinte shkakun e këtij pikëllimi dhe u frikësua se mos kishte bërë ndonjë gabim me të ose nuk kishte përfillur ndonjë obligim të sajin. Ajo shpejtoi tek ai duke i thënë: “Çfarë ke? Ndoshta kam lënë anash ndonjë gjë dhe nuk i kam kryer obligimet e mia ndaj teje?” Talha i tha: “Jo, sa bashkëshorte muslimane e mirë që më je ti, mirëpo më është grumbulluar një shumë parash dhe nuk di se si të veproj me atë pasuri.” Su’da i tha: “Dhe çfarë po të brengos nga kjo? Thirri banorët e tu dhe shpërndajua atyre.”
Talha thirri një djalosh dhe i tha: “Thirri banorët dhe shpërdajua katër qind mijë (prej pasurisë së tij).”
Kjo ngjarje që ka ndodhur në shtëpinë e Su’das dhe burrit të saj Talhas, na mëson disa sjellje të cilat janë të harruara në shumë shtëpi muslimanësh:
1. Su’da vështron burrin e saj dhe e ndjen brengosjen e burrit të saj dhe i përjeton ato brengosje sikurse burri i saj. Pra, prej cilësisë së saj ka qenë se ajo është gëzuar me gëzimin e burrit të saj dhe është pikëlluar me pikëllimin e burrit të saj. Jo vetëm kaq, por ajo gjithashtu e ka akuzuar veten se mos është shkak për brengosjen e burrit të saj. Gjithashtu ajo ka qenë e gatshme që të pendohet nga gabimi i saj dhe të kërkojë falje e t’i kthehet burrit të saj buzëqeshja dhe gëzimi.
2. Sjellja e dytë e Su’das është nxitja e saj për dhënien sadaka (lëmoshë). Ajo e harroi veten e saj, mirëpo e nxiti burrin e saj që t’i ndihmoj të tjerët, nuk mendoi për t’i blerë asaj fustane, ar ose që të udhëtonte diku me burrin e saj (për pushime) apo gjëra të tjera prej kënaqësive të kësaj bote, për të cilat mendojnë sot shumica e grave. Ajo kishte qëllime të larta dhe nuk mendonte për veten e saj, por mendonte për shpërblimin e Allahut, prandaj edhe tha: “Thirri banorët e tu dhe shpërndajua atyre”.
3. Gjithashtu nuk mund ta harrojmë edhe sjelljen e burrit të saj të devotshëm, i cili e lavdëroi gruan e tij duke i thënë: “Sa bashkëshorte muslimane e mirë që më je ti”. Sa sjellje e mirë është kjo, sjellje e cila e gëzoi zemrën e gruas kur i dëgjon ato fjalë të mira nga më i dashuri njeri për të.
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
5
Gruaja muslimane është e nënshtruar dhe sakrifikon për burrin e saj. Ajo e harron veten dhe kujton gjithmonë burrin e saj, u jep prioritet kënaqësive dhe dëshirave të tij ndaj të sajave.
Respektimi i burrit në atë që nuk është haram është qëllimi i saj kryesor; po ta humbë këtë gjë, për të është njëlloj si të kishte humbur ajrin me të cilin merr frymë.
Ibn El Xheuzi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gruaja e mençur e ka për obligim që, kur gjen një burrë të devotshëm, i cili i përshtatet asaj, të mundohet ta kënaqë atë dhe të largohet nga çdo vepër që e pengon atë sepse nëse ajo bën ndonjë vepër që e hidhëron atë apo e pengon atë, kjo do ta shqetësojë atë dhe do ta mërzisë. Ai do ta mbajë mërzinë në vetvete dhe ka mundësi që kur ta gjej momentin e duhur, ta shkurorëzoj atë ose të marrë ndonjë tjetër.” (Ahkam En-Nisa)
Njohja e veprave dhe e fjalëve që bashkëshorti i saj i pëlqen ose nuk i pëlqen dhe veprimi sipas asaj që dëshiron burri është prej kushteve të një jetese të lumtur.
Shurjeh el Kadi tregon ngjarjen e tij pasi u martua me një grua të fisit Beni Temim. Ai vazhdon dhe thotë: “Pasi hyra natën e parë me gruan time, shkova për të marrë abdest. U ngrit gruaja dhe mori abdest bashkë me mua. U fala e edhe ajo u fal me mua. Pasi mbarova namazin, e luta Allahun që të jetë gruaja ime një dhuratë e begatshme dhe të më dhurojë Allahu prej të mirave të saj dhe të më mbrojë nga të këqijat e saj.”
Vazhdon Shurejhu dhe thotë: “Pasi përfundova fjalët e mia, filloi ajo duke falënderuar Allahun dhe duke e lavdëruar Atë, pastaj tha: “Unë jam një grua e panjohur për ty (nuk njihemi), më trego se çfarë ke dëshirë ti e unë të veproj ashtu dhe çfarë urren ti, që t’u largohem atyre veprave.”
I thashë: “Unë kam dëshirë këto sende dhe i urrej këto.” Ia tregova veprat dhe thëniet të cilat urrej. Më tha: “A ke dëshirë që familja ime të të vizitojë?” I thashë: “Unë jam gjykatës dhe kam frikë se mos i mërzis ata.” Pastaj më pyeti: “Kë dëshiron prej fqinjëve që të të vizitojnë?” Dhe unë i tregova për këtë.
Thotë Shurejhu: “Kam jetuar me këtë grua një jetë shumë të mirë dhe të lumtur, derisa u bë një vit. Kur hyra në shtëpi, pashë një grua të vjetër, e cila urdhëronte dhe ndalonte (këshillonte duke e urdhëruar dhe ndaluar). E pyeta gruan se kush ishte kjo grua, më tha: “Kjo është nëna ime.”
Nëna e saj tha: “Si je ti dhe si po kalon me gruan?” Shurejhu ia ktheu: “Nuk ka grua më të mirë.” Ajo tha: “S’janë mbushur shtëpitë me sherr më të madh sesa nga ankimet apo pakënaqësitë. E nëse sheh në të (gruan tënde) diçka të dyshimtë, atëherë përdore thuprën.”
Thotë Shurejhu: “Na vizitonte nëna e saj një herë në vit, e këshillonte vajzën e saj dhe e mësonte atë. Kam kaluar me gruan time njëzet vite dhe nuk jam hidhëruar me të vetëm se një herë, rast në të cilin kam qenë unë fajtor dhe i kam bërë padrejtësi asaj.”
Ky tregim është një shembull i gjallë i cili tregon për një grua e cila ka pasur cilësi të lakmueshme, që ka pasur prioritet kënaqësitë e burrit të saj ndaj kënaqësive të veta.
Nënshtrimi ndaj burrit të saj ka qenë për të baza pa të cilën nuk ka mundur të jetojë.
Prej shkaqeve kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy bashkëshortëve është mosnënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj, saqë arrihet deri te shkurorëzimi. Prej shkaqeve kryesore të lumturisë bashkëshortore është nënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj.
Nuk ka dyshim se nënshtrimi i gruas ndaj burrit të saj mbron familjen nga humbja dhe shkapërderdhja e saj gjithashtu e bën burrin të lumtur dhe të dashuruar ndaj gruas së tij. Burri është dera e gruas, derë për në xhenet nëse ajo i nënshtrohet atij në gjërat e lejuara e jo në harame, apo derë për në xhehenem nëse ajo nuk i nënshtrohet atij.
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
6
Gruaja muslimane duhet të jetë kursimtare dhe të mos harxhojë pa nevojë. Ajo nuk krenohet me pasurinë e burrit të saj, nëse është i pasur, dhe as nuk ankohet nga varfëria, nëse burri i saj nuk është i pasur, pasi di si t’i shpenzojë paratë e saj. Gruaja muslimane duhet të jetë bujare e jo koprrace, është gjithmonë e kënaqur me atë që i ka dhuruar Allahu nga pasuria e kësaj bote.
Gruaja në shtëpinë e burrit të saj është besnike ndaj pasurisë së tij, kujdeset për të dhe ruan çdo send prej pasurisë së burrit të saj, qofshin ato para, ar, argjend apo mobilie, dhe nuk i lejohet asaj ta shfrytëzojë pasurinë e burrit përveçse me lejen e tij. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është çobaneshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për tufën e saj (për pasurinë e burrit të saj).” Buhariu dhe Muslimi.
Kurse Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Është pyetur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Cilat grua është më e mira?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ajo e cila të gëzon kur ta shikosh, të dëgjon kur e urdhëron dhe nëse ai urren diçka, nuk e kundërshton atë qoftë ajo ndaj vetes së saj apo pasurisë së saj.” Nesaiu, Hakimi, shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Es-Sahiha nr. 1838.
Po ashtu, Ebi Umame el Bahilij, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem në hutben e tij në vitin e haxhit lamtumirës dhe ndër të tjerash ka thënë: “Mos të shpenzojë gruaja asgjë nga pasuria e shtëpisë së burrit të saj pa lejen e burrit të saj.” I thanë të pranishmit: “O i Dërguar i Allahut, as ushqimi (nuk i lejohet asaj të shpenzojë)? Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “Kjo (ushqimi) është pasuria jonë më e mirë.” Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe të tjerë. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Sahih Ibn Maxhe 2/31.
Gruaja muslimane duhet të dijë se si t’i koordinojë punët e saj dhe të shpenzojë prej pasurisë së tij duke mos e tepruar, është e kënaqur me atë që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar.
Gruaja kursimtare u nënshtrohet urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe çdo grua duhet të dijë se:
1. Allahu i Madhëruar i ka poshtëruar ata të cilët shpenzojnë shumë. Ai thotë: “Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të djajve (shejtanëve).” (El Isra, 27)
2. Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar ata të cilët kursejnë. Ai thotë: “Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” (El Furkan, 67)
3. Gjithashtu shpenzimi i tepërt të largon nga përmendja e Allahut, saqë njeriu e harron Allahun dhe Ditën e Gjykimit, shpreson se do të jetojë gjatë në këtë botë dhe fillon ta dojë edhe më shumë dynjanë.
Për këto shkaqe, gruaja nuk duhet të mburret me pasurinë e burrit të saj (apo të sajën) nëse është i pasur dhe gjithashtu nuk duhet ta shpenzojë pasurinë e tij pa nevojë apo ta teprojë duke shpenzuar, sidomos përpara njerëzve të tjerë apo përpara grave të tjera në veçanti (duke u mburrur se burri i saj është i pasur apo i jep asaj shumë para për të shpenzuar, gjë që e bën gruan tjetër të lakmojë apo të kërkojë nga burri i saj të njëjtën gjë).
Gruaja muslimane e di se pasuria e kësaj bote është kalimtare dhe gjithashtu është përgjegjësi për të cilën do të pyetemi në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që transmeton Ebi Berze ka thënë: “Dhe (do të pyetet) për pasurinë e tij se ku e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar.” Tirmidhiu. Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih. Shih Es-Sahiha 946.
Gjithashtu edhe kënaqësia e saj me atë që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar është shkak që ajo mos të ankohet te burri i saj për skamje nëse burri i saj nuk është i pasur.
“Dhe prej simptomave të cilat tregojnë se gruaja është e kënaqur me atë që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar asaj dhe burrit të saj është kur ajo i sheh mundësitë e burrit të saj dhe shpenzon para sipas mundësisë së burrit të saj, nuk shpenzon pa nevojë dhe gjithashtu nuk e lodh burrin duke i kërkuar gjëra të panevojshme apo gjëra të cilat nuk janë të patjetërsueshme nga gjërat e kësaj bote, në veçanti nëse burri i saj nuk i ka këto mundësi. Kjo e mërzit atë shpirtërisht për shkak se ai nuk ka mundësi t’ia plotësojë këto dëshira gruas së tij dhe i vjen keq të paraqitet para gruas së tij si një burrë i cili nuk ka mundësi t’i përmbushë kërkesat e gruas së tij.
Për këtë shkak, gruaja muslimane duhet të jetojë gjithmonë me burrin e saj e kënaqur me atë që i ka dhuruar Allahu nga pasuria e kësaj bote dhe mos të vështrojë atë që kanë gratë e tjera.” (Avdetul Hixhab 2/491)
Për këtë duhet që gratë muslimane ta kenë frikë Allahun dhe të jetojnë jetën e kësaj bote duke qenë të kënaqur me atë që u ka dhuruar Allahu i Lartësuar. Disa prej njerëzve të devotshëm kanë thënë: “O biri i Ademit, nëse vazhdon rrugën duke qenë i kënaqur me atë që të ka dhuruar Allahu, atëherë gjëja më e vogël që ke do të të mjaftojë ty. Në qoftë se nuk e ndjek këtë rrugë, atëherë e gjithë dynjaja dhe çka ka në të nuk do të të mjaftojë ty.”
Grua e devotshme dhe e mençur është ajo e cila i shikon ato gra të cilat e kanë gjendjen edhe më të keqe se ajo si në vendbanim ashtu edhe në ushqim dhe veshmbathje dhe kur i shikon ato e falënderon Allahun për atë që i ka dhuruar Allahu dhe është e kënaqur me pasurinë që ka. Këtë e bën duke praktikuar këshillën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, që thotë: “Shikoni ata të cilët janë më poshtë se ju dhe mos i shikoni ata të cilët janë më lart se ju sepse kjo është më e mirë që ju mos t’i përbuzni mirësitë e Allahut ndaj jush.” Muslimi në Ez-Zuhd nr. 2963 dhe Buhariu në Er-Rikak.
“Së fundi, o ti grua muslimane, dije se të kënaqurit me atë që të ka dhuruar Allahu konsiderohet prej cilësive më të mira të një gruaje muslimane sepse ajo me këtë cilësi është mbështetur tek Allahu, është e kënaqur me caktimin e Allahut dhe me këtë jeton jetën e saj. Kjo e bën atë të jetojë e qetë, e lumtur dhe pa xhelozi, e cila ia shkatërron jetën asaj duke menduar gjithmonë se si të pasurohet apo se si ta bëjë shtëpinë si gratë e tjera apo si të blejë fustane apo ar si shoqet e saj.” (Vesaja ve Nesaih lin-nisa f.65 Maxhid Sulejman Devdin)
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
7
Prej cilësive të gruas muslimane është se ajo nuk vrapon pas dynjasë sikurse gratë e tjera, të cilat kërkojnë veshmbathje, të shëtisin nëpër restorante apo kërkojnë ar, argjend apo kënaqësi të tjera të kësaj bote.
Gruaja muslimane është më e zgjuar se kaq, kërkon bukurinë e shtëpisë së saj në dynja duke e zbukuruar me iman dhe vepra të mira dhe njëkohësisht duke shpresuar shpërblimin tek Allahu i Lartësuar. Gruas muslimane i intereson shtëpia e saj në xhenet para shtëpisë së saj në dynja dhe për këtë është e zënë duke ngritur imanin e saj dhe duke punuar për ta arritur kënaqësinë e Allahut.
Nuk është një grua e cila ia ndalon vetes atë që ia ka lejuar Allahu nga të mirat e kësaj bote dhe bukuritë e saj, mirëpo të gjitha këto të mira i shijon pa shpenzuar para të majme dhe gjithashtu nuk e ka qëllimin kryesor kënaqësinë e kësaj bote, nuk është sikurse gratë e tjera, të cilat qëllimin kryesorë e ka ndërrimin e mobileve të shtëpisë apo veshmbathjeve të saj, gruaja muslimane dëshiron atë që e ka dëshiruar gruaja e firaunit, ku e ka lutur Allahun duke thënë: “Ajo tha: “Zoti im, më bën një shtëpi pranë Teje në xhenet.” (Et-Tahrim 11) Shtëpia e ahiretit e ka larguar atë nga kënaqësitë e shtëpisë së dynjasë, ajo është e bindur se kjo botë është një sprovë për njerëzit dhe joshëse për ta e në veçanti për femrat.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit.” (El Kasas, 77)
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Shpenzoje pasurinë e bollshme që ta ka dhuruar Allahu i Lartësuar në adhurimin e Allahut dhe për t’iu afruar Atij me lloje të ndryshme të adhurimit për të cilat do të shpërblehesh në dynja dhe ahiret dhe gjithashtu e mos lë mangët atë që të takon nga kjo botë, nga ajo që ta ka lejuar Allahu nga ushqimet, pijet, veshmbathje, vendbanim, martesën etj., sepse ti ke obligime ndaj Allahut, ndaj vetes tënde, ndaj familjes tënde dhe që të gjithëve duhet t’ia japësh hakun (t’i kryesh obligimet ndaj tyre).” Tefsir Ibn Kethir 3/399.
Po ashtu, Allahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj Allahut ai i mashtruari (shejtani). Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir, 5-6)
Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kjo botë është burg i muslimanëve, kurse xhenet i jobesimtarëve.” (Muslimi)
Dhe ka thënë: “Me të vërtetë dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbëruar dhe Allahu i Madhërishëm ju ka bërë mëkëmbës në të për t’ju shikuar se si po veproni, prandaj ruajuni nga dynjaja dhe ruajuni nga gratë sepse sprova e par (që janë sprovuar) e benu israilëve ka qenë sprova e grave.” Ahmedi në Musnedin e tij dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Es-Sahiha 911.
Dhe për këtë shkak parulla e besimtarit dhe besimtares duhet të jetë: “E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme.” (El A’la 17)
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
8
Gruaja muslimane kujdeset dhe interesohet për zbukurimin, parfumimin dhe pastërtinë e vetes. Gruaja muslimane është e vetëdijshme se zbukurimi ka ndikim të madh tek burri i saj dhe e shton dashurinë e tij edhe më shumë. Për këtë shkak, ajo është shumë e kujdesshme për zbukurimin e saj si në veshmbathje ashtu edhe në erë, pastërti, parfumim etj. Ajo e di se zbukurimi është një mjet efektiv për ta kënaqur, qetësuar dhe mjaft tërheqës për të. Gjithashtu kjo e bën atë që të kujdeset dhe të sillet edhe më mirë me gruan e tij.
Moszbukurimi i gruas për burrin e saj është prej shkaqeve kryesore të largimit të burrit nga gruaja e tij, që më pas sjell probleme. Ka shumë raste ku kalon tërë dita dhe nata dhe gruaja nuk zbukurohet për burrin e saj. Burri shpenzon pasurinë e tij për t’i blerë gruas rrobat, parfumet dhe kozmetikën më të mirë, kurse ajo nuk i përdor këto për burrin e saj, por për t’u zbukuruar para grave të tjera në festa të ndryshme si në dasma, bajrame, etj. Shumë burra presin të ndodhë ndonjë manifestim, festë apo tubim, që ta shohin gruan e tyre të zbukuruar dhe në pamjen më të bukur, kurse disa të tjerë detyrohen të bëjnë ndonjë manifestim vetëm e vetëm për ta shikuar gruan të zbukuruar.
(Në mesin tonë është shumë e përhapur që gruaja të zbukurohet kur të vijnë musafirët, aq shumë zbukurohet, saqë as burri i saj nuk e njeh. Më shumë zbukurohet për musafirë sesa për burrin e saj ose mund të themi se burri e sheh gruan të zbukuruar vetëm në tri raste: 1. Kur vijnë mysafirët; 2. në ndonjë manifestim; 3. kur shëtit me të në qytet)
Kjo pa dyshim se është padrejtësi dhe zullum i gruas ndaj burrit të saj. Ajo nuk është duke e kryer obligimin e saj ndaj burrit. Kjo shkakton problem dhe ai nuk do të jetë i lumtur me të. Kjo e detyron burrin që të largohet nga gruaja e tij dhe t’i shikojë gratë e tjera dhe të bëjë haram ose fillon të mendojë se si të martohet me gruan e dytë, e cila do t’ia shuajë epshin e tij dhe do ta kënaqë syrin e tij.
Një burrë është martuar me gruan e dytë vetëm për këtë shkak dhe pasi është martuar, kur ka shkuar te gruaja e parë, e ka parë të zbukuruar aq shumë, saqë ka menduar se nuk është gruaja e tij prej ndryshimit të madh para se të zbukurohet dhe pasi ishte zbukuruar. Ishte çuditur kur e kishte parë ashtu, pasi gjithmonë ishte mësuar ta shihte të pazbukuruar. Ai i ka treguar se nuk do të ishte martuar po të ishte zbukuruar si tani (shih. Mukavemat Es-Seadetuz-Zeuxhije të Dr. Nasir Omer).
Dijetari Ahmed El Katani, Allahu e ruajttë, ka thënë: “I bëj apel të gjitha grave që të zbukurohen për burrat e tyre muslimanë, sepse kjo i mbron ata nga gabimet. Zbukurimi i gruas për burrin e saj është adhurim dhe një mjet të cilën e do natyrshmëria e njeriut. Gruaja e mençur është ajo e cila di se si ta përfitojë zemrën e burrit të saj dhe di se si të jetë gjithmonë gruaja e tij e re në jetën e tij.
Fjala e mirë është zbukurim i saj, buzëqeshja e saj tërheqëse është zbukurim i saj, era e saj e mirë është kënaqësi, fustani i saj i hijshëm edhe me një zbukurim modest. Ti oj motër muslimane je hyria e tij në dynja dhe mbretëresha e pallateve në xhenet, me lejen e Allahut.
Mësoj, oj motër, prej Kuranit moralin dhe sjelljet e hyrive të xhenetit dhe garo me to për ta përfituar zemrën e burrit tënd. Bëje dynjanë e tij xhenet, vishi rrobat e mira, parfumohu mirë.
Është për t’u çuditur me atë grua që në periudhën e menstruacioneve nuk i kushtojnë rëndësi vetes, nuk rregullohet gjatë të përmuajshmeve për burrin e saj duke menduar se menstruacionet janë ndarje mes saj dhe burrit të saj.
Ku është zbukurimi i gruas në fytyrën, flokët, rrobat dhe erën e saj?
A ka ndonjë kundërshtim mes zbukurimit dhe menstruacioneve?!
Jo, ajo duhet të kujdeset për burrin e saj dhe të zbukurohet e të hijeshohet për burrin e saj.
Ebul Ferexh në librin e tij “Nisau Ma Manahu“ ka thënë: “Gruaja duhet të gjejë simpati te burri i saj duke iu zbukuruar atij, që të jetë tërheqëse për të. Duhet të zbukurohet me flori dhe me veshje të ndryshme, duke përdorur edhe makijazh të ndryshëm. Ajo duhet të ketë kujdes që të mos përdorë ndonjë aromë që e pengon burrin e saj ose që nuk i pëlqen atij.”
Kurse Berkuki ka thënë: “Bukuria e gruas dhe zbukurimi i saj është shkaku kryesor për tërheqjen e burrit dhe për ta magjepsur atë. Zbukurimi kryesor është pastërtia dhe për këtë shkak duhet të ketë kujdes gruaja që mos t’i bjerë në sy burrit të saj diçka që ai e urren, bie fjala ndyrësirë, erë e keqe etj.
Një grua e këshilloi bijën e saj duke i thënë: “O bija ime, mos harro pastërtinë e trupit tënd. Nuk ka dyshim se pastrimi i trupit tënd shton dashuri te burri yt, pastërtia e shtëpisë ta zgjeron gjoksin, ta ndriçon fytyrën dhe të bën të bukur, të dashur dhe të respektuar te burri yt. Gjithashtu do të të falënderojnë familja jote, shoqet e tua dhe të afërmit e tu. Dhe kushdo që të sheh të pastër dhe shtëpinë e rregulluar, do të gëzohet dhe do të ketë mendim të mirë për ty.”
Fatkeqësisht, shumë gra e lënë pas dore zbukurimin pasi kalojnë disa vite martesë; disa duke menduar se pas shtimit të dashurisë mes bashkëshortëve nuk është e nevojshme zbukurimi i saj, kurse disa të tjera mendojnë se pasi kanë mbushur disa vite, nuk u takon të zbukurohen dhe se zbukurimi ka qenë në rini. Nuk ka dyshim se këto mendime janë të gabuara.
Zbukurimi i gruas për burrin e saj është obligim dhe nuk largohet ky obligim edhe nëse kalon shumicën e jetës së saj. Sa e sa burra janë martuar edhe pse kanë mbushur të pesëdhjetat për shkak se gruaja e parë ka lënë pas dore zbukurimin e vetes.
Prej pastërtisë së gruas është: pastërtia e trupit, pastrimi i qimeve të sqetullave, pastrimi i dhëmbëve, zbukurimi i syve me makijazh, shkurtimi i thonjve etj.
Filloni, pra, o gra të besimtarëve, zbukurohuni për burrat tuaj dhe dijeni se zbukurimi është ndër shkaqet kryesore për tërheqjen e burrit tuaj dhe prej rrugëve më të mira për ta kënaqur burrin. Në shumë raste zbukurimi anashkalon dhe asgjëson shumë probleme bashkëshortore.
Përktheu: Eroll Nesimi
Gruaja e devotshme
9
Gruaja muslimane duhet të jetë falënderuese ndaj burrit të saj për punën e tij të lodhshme me qëllim që të furnizojë gruan dhe fëmijët e tij me ushqim dhe veshmbathje. Ajo duhet ta falënderojë atë sa herë që sjell ushqim apo diçka tjetër dhe të lutet për të. Ajo nuk duhet t’i injorojë mirësitë e tij ndaj saj.
Ajo duhet të ketë frikë që të mos jetë si gratë për të cilat Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i Lartësuar nuk e shikon një grua e cila nuk e falënderon burrin e saj dhe duke pasur nevojë për të.” Nesaiu, Bezari dhe të tjerë. Shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih Silsiletus-Sahiha nr. 289.
Nëse gruaja harron mirësitë e burrit të saj dhe mundin e tij, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem këtë vepër e ka quajtur kufër (të vogël) dhe Allahu i Lartësuar e ka bërë këtë vepër shkak për ta hedhur në zjarr të xhehenemit.
Transmetohet se Esma bintu Zejd El Ensarije, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kaloi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem pranë meje dhe unë isha duke ndenjur me disa fqinje, të cilat ishin moshatare të mia. Na dha selam dhe tha: “Kini kujdes dhe mos bëni kufër (mos mohoni) ndaj atyre të cilët ju furnizojnë ju.” I thashë: “O i dërguar i Allahut, si është kufri ndaj atyre që na furnizojnë?” Tha: “Ndoshta ndonjërës prej jush i shtyhet martesa duke qëndruar te prindërit dhe pastaj Allahu ju cakton ndonjë burrë (për martesë) dhe ju dhuron fëmijë dhe më pas kur hidhërohet (me burrin e saj) me një hidhërim të ashpër bën kufër duke thënë: “Nuk kam parë asnjë të mirë nga ti asnjëherë.” Buhariu në Edebul Mufred. Shejh Albani ka thënë se senedi i tij është i mirë. Shih Silsiletus-Sahiha nr. 823.
Po ashtu transmeton Ebu Seid El Hudri se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem u tha disa grave: “O ju gra, jepni lëmosh (sa ma shumë) se unë ju kam parë ju (gratë) se jeni shumica e banorëve të xhehenemit.” Ato thanë: “Dhe për çfarë o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Për shkak se ju mallkoni shumë dhe i mohoni të mirat e burrit.” Buhariu dhe të tjerë(Avdetul Hixhab 2/489.
Nuk ka gra më të këqija sesa ato të cilat nuk e falënderojnë burrin e tyre me gjuhë dhe me gjymtyrë në çdo moment dhe në çdo vend, ta falënderojnë atë për punën, mundimin, lodhjen që është duke e bërë për t’i furnizuar fëmijët dhe gruan e tij me ushqim e veshmbathje etj.
Ku janë fjalë si: “Allahu të shpërbleftë”; “Të lumshin duart!”; “Allahu mos na lëntë pa ty”; “Allahu ta shtoftë jetën duke e adhuruar Allahun” dhe fjalë të tjera të ngjashme të cilat tregojnë një falënderim për burrin dhe nuk ka dyshim se kjo nuk i kushton gruas asgjë.
Ku është falënderimi i saj me gjymtyrë, duke u ngritur për t’i kryer kërkesat e tij duke i shërbyer me çdo send që kërkon ai (që nuk është haram).
Dijetari AbdulMuteal El Xhabiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çdo person ka dëshirë të shikojë vlerësimin e mirësisë së tij dhe sa vlerësim i mirë është fjala falënderuese ose “Allahu të shpërbleftë”. Nuk ka dyshim se këto fjalë joshin të mira edhe më të mëdha dhe falënderimi mbjell dashuri në zemrën e njeriut.
Nëse gruaja e falënderon burrin e saj në mungesë të tij, kjo shton vlerën e gruas dhe dashurinë e burrit ndaj saj sepse nëse gruaja e falënderon burrin e saj në mungesë të tij, para familjes së saj etj., kjo gjë ia mbyll rrugët shejtanit.
Kur fëmijët të rriten duke dëgjuar fjalë falënderuese nga prindërit, që falënderojnë njëri-tjetrin, fëmijët mësohen që edhe jashtë shtëpie të falënderojnë ata të cilët u bëjnë mirë atyre.
Edhe kur dëgjojnë fjalët “më fal” apo “po më vjen keq”, nëse gruaja bën ndonjë gabim, do të mësohen edhe fëmijët që të kërkojnë falje nga prindërit dhe do të kenë sjellje të mirë (El Meretu fit-tesavur El Islamij f.121).

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi